
Ceremonia e dorëzimit të “Topit të Artë” do te ndryshojë pas ndarjes mes “France Football” dhe FIFA. Duke nisur nga ky vit do të jenë gazetarët sportivë ata që do të përcaktojnë fituesin e këtij trofeu individual aq i lakmuar nga futbollistët.
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë ata që kanë dominuar në vitet e fundit me argjentinasin që ka 5 “Topa të Artë” dhe portugezin me 3 të tillë.
Por të dy këta futbollistë do të kishin nga një trofe më pak nëse në 2010 dhe 2013 do të ishin marrë parasysh vetëm votat e gazetarëve. Në vitin 2010, kur fitoi Messi, trofeu i “Topit të Artë” do të kishte shkuar për Wesley Snijder. Holandezi, fituesi i Ligës së Kampioneve dhe nënkampion i botës në atë vit kishte grumbulluar 293 pikë nga gazetaret. Iniesta ishte në vendin e dytë me 291, ndërsa Xavi ishte renditur i treti me 229 pikë duke e lënë Messin në vendin e katërt.
Ndërsa në 2013, kur triumfoi Cristiano Ronaldo, Ribery fitoi gjithçka me Bayern-in duke fituar edhe shumicën e votave nga gazetarët. Në atë vit, Ribery grumbulloi 524 pikë kundrejt 399 të Ronaldos në vendin e dytë dhe 364 të Messit.
Si në rastin e Ronaldos ashtu dhe në atë të Messit ishin pikërisht kapitenët dhe trajnerët e skuadrave përfaqësuese të 209 Federatave në FIFA që me votat e tyre ndryshuan klasifikimin e përpiluar nga gazetarët për dhënien e Topit të Artë të viteve 2010 dhe 2013.
Top Channel