Denoncimi i “Fiks Fare”, policia ndalon inspektorin e AKU-së

20/09/2016 00:00

Policia e Tiranës, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në “Fiks Fare”, ka ndaluar inspektorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), 37-vjeçarin Indrit Korbi. Ndalimi i tij u bë për korrupsion pasiv. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e inspektorit Etrit Berisha, 33 vjeç.

Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si inspektorë në Drejtorinë Rajonale Tiranë të AKU dyshohen se kanë ushtruar presion për një kohë të gjatë, i kanë kërkuar dhe marrë shumën prej 20.000 lekë të reja një subjekti privat për zhbllokimin e aktivitetit të tij, të bllokuar disa muaj më parë nga AKU.

Më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë masën pezullim nga detyra për inspektorët e Drejtorisë Rajonale në Tiranë, Etrit Berisha dhe Indrit Korbi. Gjithashtu është ngritur Komisioni Disiplinor për fillimin e procedurave ligjore për largimin nga Shërbimi Civil, për të dy punonjësit.

Të dy keta inspektorë akuzohen për moszbatim të dispozitave ligjore, për rryshfet dhe shkelje të kodit të etikës.

Dy inspektorët në fjalë u denoncuan një natë më parë nga Fiks Fare, që paraqiti me pamje momentin kur inspektorët kërkonin para nën dorë në këmbim të dhënies së lejes për hapjen e një dyqani peshku në Kamëz.

Top Channel