Ministria e Punëve të Brendshme, në një deklaratë për shtyp, reagoi ndaj akuzave të deputetit demokrat Flamur Noka, i cili sot tha se ministri Saimir Tahiri prishi hetimin e avionit të rrëzuar në Ishëm.
“Nuk ka asgjë të re në deklaratat e Partisë Demokratike dhe të deputetit Flamur Noka. Edhe kjo e sotmja i shtohet tufës së mbi 2.000 deklaratave kundër Ministrit të Punëve të Brendshme për të përbaltur figurën e punën e tij dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nëqoftëse Flamur Noka është në rolin e tellallit, atëherë le të tregojë se cili është prokurori që i ka dhënë këtë informacion; Nëqoftëse Flamur Noka është në rolin e dëshmitarit, atëherë le të paraqitet në Prokurori dhe të depozitojë të gjithë të dhënat që ka në lidhje me këtë ngjarje. Por, ka disa pyetje që mbeten ende pa përgjigje: për cilën arsye Flamur Noka doli në Kuvend dhe bëri botën me dije për rrëzimin e avionit, një çështje për të cilën Policia e Shtetit dhe Prokuroria kishin nisur një hetim? Për cilën arsye Flamur Noka bëri publik hetimet mbi avionin?”, lexohet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.
MPB-ja shton se “me këto pyetje, nuk po aludojmë se Flamur Noka ka lajmëruar trafikantët, por janë pyetje që presin përgjigje”.
Top Channel