Komisioni i Posaçëm për reformën në drejtësi u mblodh sot për të diskutuar ligjin për Prokurorinë, i cili u votua në tërësi.
Partia Demokratike paraqiti një opinion të vetin ku kundërshton në disa pika projektligjin, që sipas saj bie ndesh me kushtetutën në disa momente. Ndërkohë që sipas deputetëve të mazhorancës pati diskutime konstruktive.
“Përtej ndryshimit kushtetues, ligji përkeqëson situatën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke e çuar gravitetin te drejtuesit e prokurorive të rretheve, gjë që nuk është parashikuar nga Kushtetuta. Kjo do të ndikojë në mënyrën se si funksionon dhe sa efikase do të jetë prokuroria. Mazhoranca refuzoi dispozitën tranzitore që do të rregullonte kompetencat deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, tha Bylykbashi.
Ndërsa Ulsi Manja u shpreh: “Komisioni diskutoi nen për nen dhe e votoi në tërësi ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë. Ky ligj tashmë konsiderohet i mbyllur për Komisionin e Reformës në Drejtësi”.
Sipas opozitës, në mënyrën siç është konceptuar organi i prokurorisë në këtë ligj, ka një potencial të lartë rreziku për të dizintegruar prokurorinë sepse krijon “ishuj” të pavarur pushteti brenda këtij organi. Në opinionin e saj, PD saktëson se ligji e organizon prokurorinë në disa degë, të cilat ja heqin asaj varësinë nga Prokurori i Përgjithshëm.
Dy ditë më parë, Komisioni i Reformës në Drejtësi vendosi me konsesus zhvillimin e dy seancave për miratimin e 6 ligjeve për reformën, ndërsa ligjet do të miratohen më datë 29 shtator.
Top Channel