Veliaj: Të sakrifikojmë diçka për njerëzit në nevojë

12/09/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Ai i i përcolli urimet fillimisht kreut të Komunitetit Mysliman dhe më pas, nëpërmjet medias, edhe gjithë shqiptarëve.

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Veliaj e cilësoi këtë festë si një ditë reflektimi dhe sakrifice për të qenë bashkë me më të dobëtit dhe ata në pamundësi.

“Secili prej nesh, për të arritur diçka duhet të sakrifikojë. Edhe në rastin e Ibrahimit apo Abrahamit, sakrifica që kërkohej ishte i biri. Por nuk besoj se sot koha kërkon këto sakrifica. Sot kërkohet pak sakrificë nga rehatia jonë për të ndihmuar një fqinj në nevojë, të sakrifikojmë pak nga bollëku ynë për të ndihmuar një nevojtar, dikush që është me ndihmë ekonomike”, tha Veliaj.

Më tej ai shtoi se gjatë ditës së sotme, Bashkia e Tiranës do të shtrojë drekë në mensat sociale dhe do të vizitojë disa familje në nevojë, për të treguar se solidariteti është pjesë e këtij qyteti.

Top Channel