Zbulohet shkaktari i murtajës së madhe të Londrës

08/09/2016 00:00

Testet e ADN-së kanë konfirmuar për të parën herë identitetin e bakterit fajtor për murtajën e tmerrshme të Londrës. Epidemia që pllakosi qytetin në vitet 1665-1666 shënon dhe shpërthimin më të madh të murtajës bubonike në Britani.

Sëmundja shfarosi asokohe gati një të katërtën e popullsisë së Londrës. U desh një vit që të pohohej dhe ajo u arrit të zbulohej nga një varrezë e lashtë e të sëmurëve nga murtaja, e dalë në dritë gjatë punimeve me ekskavator në rrugën “Liverpool”. Rreth 3 500 varre u gjetën aty. Ditari i një viti murtaje i Daniel Defoe, shkruar në shekullin e 18, një rrëfim mbi ngjarjen e përmasave katastrofike, përshkruan me hollësi fatin e kobshëm të londinezëve të prekur.

Disa prej tyre, rrëfen shkrimtari, pushtoheshin nga ethe të dhunshme, dhimbje koke të padurueshme, dhimbje të llahtarshme shpine e mes atyre dhimbjeve përpëliteshin pa shpëtim. Të tjerëve u krijoheshin gjendra të mëdha në fyt, sqetulla apo ije. Agonia e tyre qe e padurueshme. Pozicioni i skeleteve megjithatë tregon se ata janë varrosur me respekt, janë vendosur në qivure e nuk janë hedhur nëpër gropa të gjithë bashkë.

Bakteri përgjegjës për fatkeqësinë ishte Yersinia pestis, por lajmi i mirë për të gjithë ata që u shqetësuan se mos ai arrinte të dalë nga zona e gërmimeve është se nuk mbijeton dot në tokë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB