Incident mbi Detin e Zi. Avionët amerikanë e rusë fluturojnë 3 metra larg

08/09/2016 11:30

Pentagoni njoftoi se një avion luftarak rus ka fluturuar vetëm 3 metra larg njërit prej avionëve të tij të gjurmimit që ndodhej mbi Detin e Zi. Zyrtarët amerikanë e përshkruan veprimin e SU-27 si joprofesional dhe të rrezikshëm.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk vonoi të paraqiste variantin e saj të ngjarjes e tha se avioni amerikan ndodhej shumë pranë territorit rus. Sa i takon pilotëve të SU-27-s, ata për Moskën i janë përmbajtur rregullave ndërkombëtare të fluturimit e janë afruar sepse avioni amerikan e kishte të fikur transponderin sinjalizues që ndihmon në identifikimin e mjetit.

Avioni amerikan P-8A Poseidon nga ana tjetër, sipas shpjegimeve të Pentagonit, ishte duke kryer operacione rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur avioni rus iu afrua rrezikshëm. Të tilla veprime bartin potencialin e përshkallëzimit të tensioneve e mund të çojnë më e pakta fare edhe në aksidente, ishte deklarata e zyrtarëve amerikanë.

Rusia aktualisht është duke zhvilluar manovra ushtarake në Detin e Zi. Marrëdhëniet mes saj dhe Perëndimit janë ashpërsuar ndjeshëm që prej aneksionit të Krimesë marsin e vitit 2014. Prillin e këtij viti, Shtetet e Bashkuara u ankuan se avionët rusë ishin përballur në një mënyrë të ngjashme me këtë të fundit me avionët e saj të zbulimit që fluturonin mbi Detin Balltik. Edhe në atë rast, Moska përdori të njëjtin shfajësim: fikjen e transponderit sinjalizues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA