Hong Kong, udhëheqësit e protestës kundër Kinës futen në legjislativ

05/09/2016 00:00

Dy vite pasi dhjetëra mijëra të rinj dolën nëpër rrugët e Hong Kongut, në një protestë të paprecedentë për ndryshim politik, një brez i ri aktivistësh prodemokracisë fituan disa vende në Këshllin Legjislativ të vendit.

Të rinjtë kërkojnë më shumë autonomi dhe ndryshime në mënyrën sesi Hong Kongu qeveriset nga Kina. Në zgjedhje pati një pjesëmarrje rekord prej 58 për qind. Mes të paktën 4 aktivistëve të rinj që fituan është Nathan Law, 23-vjeçari që ndihmoi në drejtimin e protestës së vitit 2014, për vetëqeverisje.

Law u shpreh i befasuar me rezultatin, i cili sipas tij tregonte se njerëzit donin ndryshim. Por pavarësisht fitores, mbështetësit e Kinës do të vazhdojnë të kenë shumicën në këshillin prej 70 vendesh. Deri më tani nuk ka pasur ende asnjë reagim nga Qeveria e Pekinit.

Këto ishin zgjedhjet e para në ish-koloninë britanike që prej trazirave të vitit 2014, kur zona qendrore të Hong Kongut u paralizuan për disa javë, kryesisht nga protestues të rinj. Ata kërkuan më shumë demokraci për territorin, mes shqetësimeve se Pekini po ndërhynte gjithnjë e më shumë në politikat e tij, duke shkelur marrëveshjen e njohur si “Një vend, dy sisteme”. Kina e mohon këtë dhe nuk i ka ofruar asnjë lëshim protestuesve.

Top Channel