G20, Obama: SHBA-Kinë, takim tepër produktiv; Pritje e pazakontë e tij në aeroport

04/09/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama tha gjatë së dielës se bisedimet dypalëshe me homologun e tij kinez, Xi Jinping, kanë qenë “jashtëzakonisht produktive”, teksa udhëheqësit botërorë janë mbledhur për samitin e G20-s që pritet të adresojë rritjen e ngadaltë ekonomike globale dhe spektrin kanosës të politikave të mbrojtjes.

Disa prej udhëheqësve të G20-s kanë nisur hartimin e “linjave të betejës” në mosmarrëveshjet mbi çështje të tilla si tregtia, investimet, politika e taksave dhe mbikapaciteti i prodhimit industrial.

Siguria është përforcuar në kushte ekstreme në Hangzhou, teksa pjesë të qytetit prej 9 milionë banorësh janë kthyer si të ishin shkretëtira, pasi Kina kërkon të garantojë një samit pa asnjë incident të mundshëm.

Obama, i cili mbërriti që të shtunën, ka zhvilluar bisedime me presidentin kinez Xi mbrëmjen e djeshme, të cilat zgjatën deri orët e vona të mëngjesit të sotëm. Ai nxiti Pekinin të respektojë detyrimet ligjore të tij mbi ujërat e diskutueshëm të detit të Kinës Jugore, si dhe theksoi angazhimet e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve rajonalë.

Xi Jinping tha se Kina do të vazhdojë të ruajë e garantojë sovranitetin e saj dhe të drejtat e lundrimit në detin e Kinës Jugore. Obama la pas krahëve pritjen e tij kaotike në Aeroportin e Hangzhout, ku stafi i tij pati mosmarrëveshje me forcat kineze të sigurisë për shkak të aksesit të medias. Atij madje nuk iu ofruan as shkallët për të zbritur nga pjesa e përparme e “Air Force One”, por së bashku me stafin e tij iu është dashur të zbresin nga një dalje alternative.

“Diskutimet dypalëshe që patëm që nga dje ishin jashtëzakonisht produktive dhe do të vazhdojnë të përqëndrohen në zonat e gjera të bashkëpunimit”, tha Obama për reporterët gjatë ditës së sotme, duke thënë se “nuk dëshiron të fiksohet së tepërmi” në domethënien e mosmarrëveshjeve në aeroport.

Të shtunën, Obama dhe Xi ratifikuan në Paris marrëveshjen e ndryshimeve klimatike, duke i lënë mundësinë vendeve të tjera që t’i pasojnë, në mënyrë që marrëveshja të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur përpara fundit të këtij viti. Kina është e vendosur të mbajë samitin të fokusuar në çështjet ekonomike dhe të mos lejojë që mosmarrëveshjet e tjera të mbizotërojnë në të.

Mes udhëheqësve të tjerë të mbërritur në samitin që po zhvillohet në qytetin lindor të Kinës, Hangzhou, janë edhe Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ai i Japonisë Shinzo Abe, kryeministrja e Britanisë Theresa May, Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Francois Hollande dhe ai indian Narendra Modi.

Ata pritet të rinovojnë premtimet e tyre për përdorimin e politikave të taksave dhe shpenzimeve për të forcuar ekonominë e dobët botërore, e megjithatë një shtysë e re pro-rritjes me shumë gjasa do të mungojë.

Mbikapaciteti i prodhimit global në industrinë e çelikut, një pikë problematike për Kinën si prodhuesi më i madh botëror i këtij metali, pengesat për investimet e huaja dhe rreziqet për zhvlerësimin e monedhës për të mbrojtur eksportet, do të jenë gjithashtu tema kyçe të diskutimeve.

Top Channel