
Partia Demokratike ka deklaruar këtë të shtunë se, “pas 3 vitesh qeverisje të Edi Ramës të rinjtë shqiptarë zënë vendin e parë në Europë dhe në botë për dëshirën për të braktisur vendin”.
Sipas zëdhënëses Ina Zhupa, të dhënat tronditëse bëhen të ditura nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.
“Organiza Ndërkombëtare e Punës tregon se përqindja më e lartë e të rinjve nga mosha 15-29 vjeç, që duan të emigrojnë në botë, janë nga Shqipëria”, ka deklaruar Zhupa.
Ajo ka theksuar se, “në raport thuhet se gatishmëria e të rinjve për të emigruar është nxitur kryesisht nga papunësia e lartë dhe mungesa e shanseve dhe besimit për të gjetur një punë”.
“Kjo është gjendja ekonomike në Shqipëri, ky është realiteti ku papunësia rritet, besimi tek të rinjtë është goditur, shpresa për të ardhmen është vrarë, ndërsa shtohet çdo ditë pasuria e qeveritarëve që ndajnë e plaçkisin asetet publike e paratë e shqiptarëve”, ka vijuar Zhupa.
Ajo është shprehur se, “300 mijë vendet e punës të premtuara nga Edi Rama 3 vjet më parë jo vetëm janë harruar, por mijëra të papunë janë shtuar si pasojë e taksave të larta, pasigurisë, mbylljes së bizneseve dhe arrogancës së pushtetarëve”.
“Të vetmet vende pune në qeverisjen e Edi Ramës dhe me bekimin e tij janë ato të kultivimit dhe ruajtjes së hashashit për llogari të një grushti banditësh dhe qeveritarësh”, ka thënë Zhupa.
Duke theksuar se, “të rinjtë shqiptarë nuk e meritojnë këtë model që ofron Edi Rama”, zëdhënësja ka nënvizuar se, “rinia duhet të bashkohet, të ngrihet dhe të marrë fatet e vendit në dorë”.
“Largimi nuk është zgjidhja. Shqipëria mund të ofrojë punë, shpresë e të ardhme për rininë. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Zhupa.
Top Channel