Ndërtimi i shkollave, Veliaj: Fund mësimit me dy turne

03/09/2016 00:00

Bashkia e Tiranës nisi ndërtimin e shkollës së re në zonën e Kombinatit. Shkolla 9-vjeçare “Betim Muço” është godina e dytë që nis të ndërtohet në kuadër të projektit për ndërtimin e 20 shkollave në kryeqytet, të cilat do të zgjidhin përfundimisht problemin e mësimit me dy turne që vijon prej vitesh.

Nisja e punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi rëndësinë e këtij projekti.

“Më vjen mirë që pas shkollës “Hoxha Tahsin”, shkolla 9-vjeçare “Betim Muço” në Kombinat është e dyta si pjesë e projektit për ndërtimin e 20 shkollave. Duke filluar me këto të dyja dhe për të vijuar me shkollën “Kosova” ne do të vazhdojmë gjatë këtij viti me hedhjen e themeleve për shkolla të reja. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të eliminojmë klasat me dy turne”, tha Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, është e vështirë të pretendohen qytetarë të mirë dhe një Tiranë dinjitoze nesër, nëse fëmijët e sotëm nuk kanë kushtet normale në institucionet arsimore. Prandaj, sipas tij, është i rëndësishëm një ndryshim radikal dhe për këtë vjen në ndihmë partneriteti publik-privat.

“Ka ardhur koha për një ndryshim radikal, ndaj do të vazhdojmë partneritetin publik-privat me ndërtimin e 20 shkollave në Tiranë. Pasi firma të ketë mbaruar shkollën do të fillojmë të paguajmë këstet. Kjo mënyrë ka funksionuar me sukses në shumë vende rreth nesh. Ka ardhur koha që të ecim përpara me këtë projekt”, theksoi Veliaj.

Top Channel