Veliaj: Edhe 5 kopshte për të përmbushur premtimin

31/08/2016 00:00

Kanë mbetur edhe 5 kopshte për të realizuar premtimin për rikonstruksionin e 23 kopshteve në kryeqytet gjatë muajve të verës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në kopshtin “Beni ecën vetë”, në njësinë administrative numër  1, i cili sapo ka përfunduar së rikonstruktuari.

“Kopshti “Beni ecën vetë” është kopshti i 18 që rikonstruktojmë nga 23 gjithsej. Kemi edhe një javë kohë për të mbyllur 5 kopshtet e mbetura dhe për të mbajtur 100% premtimin tonë për rikonstruksionin nga e para të të gjitha kopshteve të Tiranës. Kur fëmijët të kthehen nga pushimet javën tjetër, jo vetëm këtu në njësinë nr. 1, por në të gjitha njësitë e Tiranës, do të gjejnë infrastrukturë moderne dhe besoj se, ashtu siç ka edhe emrin, kopshti “Beni ecën vetë”, ky është edhe qëllimi i bashkisë, që në Tiranë çdo fëmijë të ecë vetë, të ketë të njëjtin shans si në Shkozë, si te “Ali Demi”, edhe në qendër të qytetit”, tha Veliaj.

Pas kopshteve, Veliaj premtoi se do të ketë në fokus rikonstruksionin e shkollave: “Kur thamë se do i kërkojmë ndihmë biznesit, kishte shumë skeptikë. Tani do të kemi në fokus shkollat”.
 
Këtë vit, në Tiranë do të ketë shkolla ku nxënësit do të zhvillojnë mësimin me dy turne vetëm në dy gjimnaze.

Top Channel