Klosi në kampin rinor të FRESSH: 300 mijë vendet e punës, realitet

31/08/2016 00:00

Organizimin e kampit veror të të rinjve socialistë të FRESSH në Jalë e ka mbyllur ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi. Fillimisht, ministri Klosi përshëndeti përfshirjen e të rinjve pranë PS.

“Ne jemi forca më demokratike në vend, ndaj vendimi juaj për t’iu bashkuar PS është një vendimi i drejtë. Ne ndryshojmë kryekëput nga kundërshtari jonë politik. Ne jemi partia e reformave, ne jemi partia që besojme në shtet dhe po bëjmë shtet. Këtë po e bëjmë për të gjithë shqiptarët, jo duke i ndarë ata në të majtë e të djathtë”, deklaroi Klosi.

Sa i takon punës së dikasterit të tij, ministri sqaroi se qasja ndaj papunësisë është po ashtu krejtësisht e ndryshme nga qeverisja e PD.

“Janë 5-fishuar fondet e nxitjes së punësimit. Jemi pranë përmbushjes së premtimit për 300 mijë vende pune në mandatin e parë qeverisës”, tha Klosi.

Ai nënvizoi se qeveria po punon në disa drejtime, duke e vënë theksin tek vënia në funksion të plotë të zyrave të punës dhe rritja e arsimit profesional, me ofrimin e kualifikimit falas. “Ndërkohë që shtresat në nevojë subvencionohen dyfish krahasuar me 3 vjet më parë”, saktësoi Klosi.

Ai shtoi se sot janë 220 mijë punonjësit që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore, që sipas tij “është një arritje madhore e kësaj qeverie”.

Top Channel