Kosovë, ministrja Tahiri: Pas 17 vitesh hapëm urën mbi lumin Ibër

30/08/2016 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ishte këtë të martë për një vizitë pune në Mitrovicë, për të inspektuar punimet për rivitalizimin e urës mbi lumin e Ibrit, pas heqjes së barrikadës më 14 gusht, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit.

Në njoftimin për media thuhet se, “ministrja Tahiri bëri një vizitë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri. Ministrja Tahiri shoqërohej gjatë kësaj vizite nga Arben Çitaku, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe këshilltarët politikë Dren Zeka dhe Gazmir Raci”.

Në këtë takim, ministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës mbajti premtimin ndaj qytetarëve, duke e hapur urën mbi Ibër pas 17 vitesh nga përfundimi i luftës. Kjo urë tani është simbol i bashkimit dhe komunikimit për të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve, të cilët iu gëzuan kësaj ngjarjeje të shumëpritur.

“Kjo është një ngjarje historike për shtetin e Kosovës, sepse i dhamë fund logjikës së vendosjes së barrikadave, e hapëm rrugën e vlerave të demokracisë, lëvizjes së lirë, zhvillimit dhe prosperitetit në këtë pjesë të vendit tonë”, tha ajo.

Pas këtij takimi, ministrja Tahiri, së bashku me delegacionin e Qeverisë së Kosovës dhe kryetarin Bahtiri, kanë inspektuar punimet për rivitalizimin e urës së këtij qyteti, duke theksuar se një gjë e tillë ishte e mundur vetëm falë angazhimit të institucioneve të Kosovës në kuadër të dialogut të Brukselit dhe se tashmë, pas 17 vitesh, kjo urë po u kthehet të gjithëve për lëvizje dhe mundësi të reja për forcimin e bashkëpunimit mes gjithë qytetarëve të kësaj pjese.

Top Channel