Dibër, Shehu: Bashkia, fond të veçantë për t’u paguar energjinë familjeve në varfëri

30/08/2016 10:15

Kandidati i Partisë Demokratike për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me banorë të fshatrave Rreth-Kale, Vajme?dhej dhe Reç.

Shehu theksoi se ndërmarrjet e Bashkisë, ajo e Mirëmbajtjes, Ujësjellësi dhe Bordi i Kullimit do të vihen në punë 24 orë për t’u shërbyer banorëve në përmirësimin e infrastrukturës, ujësjellësin dhe riparimin e pastrimin e kanaleve vaditëse.

“Në postin e kryebashkiakut që në ditën e parë do të punoj për lidhjen e ujësjellësit nga lagjja Sheh i Sipërm me Sopanitin. Do të vazhdojmë zgjatimin e kanaleve vaditës, riparimin dhe pastrimin e tyre. Këtë do ta bëj me bordin e kullimit, që i është transferuar bashkisë. Dhe e kam unë të drejtën për të marrë vendimin se ku do t’i përdor ato njerëz dhe ku do t’i përdor ato para’. Infrastruktura për mua do të ndahet në dy kategori. Infrastruktura e fshatrave që sot nuk ju sheh kush me sy kur bashkia ka një ndërmarrje të mirëmbajtjes së rrugëve. Ata njerëz do të marrin rrogat për të punuar për ju. Por ka edhe projekte të mëdha dhe ato janë projektet e zhvillimit. Unë do të bashkëpunoj me institucione ndërkombëtare për t’i realizuar”, theksoi Shehu.

Shehu shtoi se në Bashkinë e Dibrës nuk do të ketë më asnjë familje që do të rrijë në errësirë sepse nuk paguan dot energjinë. Bashkia do të vërë në dispozicion një fond të posaçëm për familjet në pamundësi ekonomike për t’u paguar faturën e energjisë që fëmijët të kenë mundësi të mësojnë në dritë, premtoi Shehu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA