“As mish dhe as peshk”, Infantino për futbollin olimpik

29/08/2016 00:00

Olimpiadat përfaqësojnë një siklet të madh për mazhorancën e klubeve të futbollit në mbarë globin dhe kjo nuk është një sekret prej vitesh, e u rikthye në vëmendje këtë verë me Lojërat e Rio de Zhaneiros.

Shumë kombëtare të kualifikuara morën refuzime nga shumë ekipe për grumbullimin e atletëve dhe patën probleme me listat fillestare. Por më shumë se të gjithë ka surprizuar një ndërhyrje e denjë për faull, e presidentit të FIFA-s.

Zvicerani Infantino e cilësoi një problem të madh impenjimin në Olimpiadë. Ai vuri theksin te axhenda e ngjeshur e lojtarëve, shumë prej të cilëve vuajnë edhe dëmtime.

“Ky është një problem delikat që duhet ta përballojmë e të gjejmë zgjidhje me komitetin Olimpik ndërkombëtar. Turneu në këtë format nuk është as mish dhe as peshk”, tha Infantino. Kreu i FIFA-s nuk u fsheh aspak në kritikat e tij për lojërat Olimpike, aty ku Brazili fitoi në futboll medaljen e artë të parë në histori.

“Një turne me skuadra e futbollistë nën 23 vjeç e pak të tjerë jashtë kuotave nuk është zgjidhje e mirë, aq më tepër kur kalendari është shumë i ngjeshur”, tha Infantino.

Zvicerani rikujtoi gjithashtu objektivin e tij për të organizuar një botëror futbolli me 40 ekipe finaliste, nga të cilët do të përfitojnë shtete të vegjël.

Top Channel