Dy në pranga, një polic në kërkim për 17.550 rrënjë kanabis në Kolonjë

28/08/2016 00:00

Një efektiv policie është shpallur në kërkim, ndërkohë që dy persona të tjerë janë arrestuar lidhur me kultivimin e 17. 550 bimëve të dyshuara si narkotike në fshatin Qinam-Radovickë të Kolonjës.

Mësohet se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në vijim të hetimit për kultivimin e bimëve narkotike në këtë zonë ka shpallur në kërkim punonjësin e policisë, inspektorit të zonës, E. M. 35 vjeç.

Ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg” për “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim të bimëve narkotike”.

SHÇBA bën me dije se në bashkëpunim me policinë lokale dhe Prokurorinë u dokumentua bashkëpunimi për operacionin antikannabis të zhvilluar në 23 gusht të këtij viti, gjatë të cilit u asgjësuan 17.550 bimë të dyshuara si Cannabis Sattiva.

Në vijim të operacionit është bërë edhe arrestimi i Jorgo Kristali, 44 vjeç dhe Gramoz Bejko, 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Bëhet e ditur se ndalimi i tyre u bë, në bazë të vendimit nr 341 dhe  nr 342, të datës 27.08.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë,  e cila ka caktuar për ta masën e sigurisë  “Arrest me burg” për veprën penale: “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal.

Top Channel