F1, Massa nuk e mohon, dëshiron qëndrimin te Williams

27/08/2016 00:00

Felipe Massa dëshiron të jetë ende pjesë e skuadrës së Williams. Pilotit brazilian i përfundon kontrata me këtë skuadër në fund të sezonit dhe së fundmi është folur shumë për mundësinë e ardhjes së Jenson button ose të Serfgio Perez në vitin 2017. Por Massa është shprehur se ai shpreson që Williams të zgjedhë pikërisht brazilianin për ta pasur pjesë të saj edhe vitin e ardhshëm.

“E adhuroj punën me Williams dhe synimi im është që të qëndroj këtu”, tha Massa në një intervistë në faqen zyrtare të Formula 1. “Është një skuadër fantastike dhe që ka një vend të madh në zemrën time. Do të jetë gjithnjë kështu. Tani më duhet kohë për të kuptuar se çfarë po ndodh tani e çfarë do të ndodhë në 2017”.

Megjithatë Massa e ka përgatitur një plan B, nëse dëshira e tij nuk do të plotësohet dhe për këtë arsye ai ka nisur bisedime me skuadra të tjera të Formula 1, gjë të cilën e konfirmoi ai vetë.

“Po bisedoj me drejtues të disa skuadrave të tjera dhe besoj se shumë shpejt do të gjej një përgjigje”, vijoi Massa. “Sigurisht që kam plane të tjera, por nuk dua të jap asnjë të dhënë për momentin pasi nuk më duket e drejtë. Do të jetë koha ajo që do të tregojë përgjigjen time”.

Top Channel