F1, Horner: Nervozizmi i pilotëve i pashmangshëm

23/08/2016 00:00

Edhe pse duket se është dyshja më impresionuese për momentin në garat e Formula 1, ajo shumë shpejt edhe mund të kthehet në duelin më të egër mes dy pilotëve të së njëjtës skuadër. Ky është mendimi që ka shefi i skuadrës Red Bull, Christian Horner, për dy pilotët që ka përzgjedhur për skuadrën e tij.

“Është padyshim dyshja më impresionuese në garë. Është gjithçka në dorë e tyre në momentin që janë në timon. Lidhja mes tyre është shumë e re dhe normal që tani nuk mund të ketë problem. Por do të jetë e pashmangshme nëse ata do të vazhdojnë të garojnë së bashku edhe për 2-3 vitet e tjera dhe sigurisht për objektiva të tjera”, u shpreh Horner.

Verstappen ju bashkua skuadrës Red Bull në garën e katërt, në Barcelonë dhe që në debutimin e tij arriti të merrte edhe fitoren e parë të karrierës. Në garën e fundit, atë për Çmimin e Madh të Gjermanisë, ai punoi shumë mirë me shokun e skuadrës dhe me pikët që morën së bashku i rrëmbyen vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm Ferrarit.

Më pas shefi i Red Bull flet me superlativa për Vestappen, një 18-vjeçaren që po bën një kampionat të shkëlqyer, mes kaq shumë kampionësh bote.

“Për të gjithë është shumë impresionuese që një pilot kaq i ri të tregojë një maturim të tillë dhe ai po e mbron veten si një yll i së ardhmes. Ai është një pilot shumë i mirë dhe këtë gjë e ka treguar në të gjitha garat, përjashtuar Montekarlon. Pilotimi, aftësitë dhe vendosmëria e tij janë të pastra”, deklaroi Horner, ndërsa justifikon edhe australianin Ricciardo. “Ai ka qenë pak i pafat. Ai është shumë luftarak dhe ai e di mirë se cili është potenciali që ka ai dhe skuadra. Jam i bindur që do të shikojmë një pjesë të dytë të sezonit shumë të fortë për të”, përfundoi Horner.

Top Channel