E bujshme nga MLS, Neymar fillon kontaktet për t’ju bashkuar Messit në kampionatin amerikan
Mo Farah fiton një tjetër medalje të artë në Lojërat Olimpike. Këtë radhë, atleti britanik fitoi në garën e 5000 m, duke u bërë i dyti sportist në botë që arrin të fitojë titullin olimpik si në 5 000 ashtu dhe 10 000 m, pas finlandezit Viern në 1972 dhe 1976.
Farah, për të cilin kjo ishte e katërta medalje e artë olimpike, në 5000m arriti të fitojë me kohën 13 minuta, 3 sekonda e 30 të qindtat. Në vendin e dytë u rendit amerikani Chelimo, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi etiopiani Gebrivet.
Në hedhjen e shtizës për meshkuj, medalja e artë i shkoi gjermanit Tomas Rohler me 90.3 m. Në vendin e dytë u pozicionua kampioni i botës në këtë disiplinë, keniani Jega, i cili e mbylli garën me 88.24 m, ndërsa në vendin e tretë me medaljen e bronztë u klasifikua Keshorn Uolkot nga Trinidad Tobago, me 85.38 m
Në garën e 800 m për femra ajo që triumfoi ishte Caster Semenja, e cila u bë e para atlete afrikanojugore që merr një medalje të artë olimpike në 64 vjet. Semenja e përshkoi këtë distancë me kohën 1 minutë, 55 sekonda e 28 të qindtat. Medaljen e argjendtë e fitoi Fransin Nijonsaba nga Burundi, ndërsa ajo e bronztë i shkoi kenianes Margaret Vambui.
Në stafetën 4×400 m për femra, skuadra e SHBA fitoi medaljen e 6 të artë radhazi në Lojërat Olimpike. Në këtë garë, skuadra amerikane kishte në përbërje Elizon Feliks, e cila gjithashtu e çoi në 6 numrin e titujve olimpikë në karrierë. SHBA e fitoi garën me kohën 3 minuta 19 sekonda e 6 të qindtat. Në vendin e dytë u rendit Xhamajka, duke marrë medaljen e argjendtë, ndërsa atë të bronztë e fitoi Britania e Madhe.
Surpriza e mbrëmjes në garat e atletikës mban emrin Methju Centrovitz, që fitoi medaljen e artë në 1500 m për meshkuj, një sukses ky që i mungonte SHBA që nga viti 1988. Centrovitz e fitoi garën me kohën 3 minuta e 50 sekonda. Në vendin e dytë u rendit algjeriani Maklufi, ndërsa në medalja e bronztë i shkoi Nikolas Uillis nga Zelanda e Re.
Top Channel