Atletika, të tjera medalje në Rio

20/08/2016 00:00

Britania zbret Holandën nga froni i kampiones olimpike në hokejin e fushës për femra për të fituar për herë të parë medaljen e artë në këtë disiplinë sportive.

Në finale skuadra britanike arriti të fitojë me holandezet me 11-metërsha  pasi koha e rregullt përfundoi me rezultatin e barabartë 3-3, që tregoi se kjo ishte një ndeshje e luftuar nga fillimi deri në fundin e saj. Medaljen e bronztë e fitoi Gjermania, e cila në finalen e vogël mposhti Zelandën e Re me rezultatin 2-1.

Në atletikë, keniania Vivian Cheruiyot fitoi medaljen e artë në 5000 m për femra me kohën 14 minuta 26 sekonda e 17 të qintat, që përbën një rekord të ri Olimpik. në vendin e dytë u rendit një tjetër atlete keniane, Helen Obiri, ndërsa medalja e bronztë i shkoi rekordmenes botërore në 10 mijë m, etiopianes Almaz Ayana.

Greqia rikthehet të fitojë një medalje të artë në atletikë pas 12 vitesh. Ajo që e arrin këtë është pikërisht Ekaterini Stefanidhi në kërcimin me shkop për femra, e cila kaloi lartësinë 4.85 m. Në vendin e dytë u rendit amerikania Sandi morris, e cila dështoi më shpesh në tentativat e saj, ndërsa në vendin e tretë u rendit Eliza Mekkartni që kaloi lartësinë 4.8 m duke vendosur edhe një rekord kombëtar.

Në hedhjen e çekiçit, Dilshod Nazarov i dhuroi Taxhikistanit medaljen e parë të arrë që pas ndarjes nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Nazarov  e mbylli garimin e tij në këtë disiplinë me 78.68 me rezultati më i mirë i tij, duke lënë në vendin e dytë 40 vjeçarin bjellorus Ivan Tsikan me 77.79 m. Medalja e bronztë i shkoi polakut Vojceh Novicki, i cili arriti të kalojë meksikanin Diego Del Real.

Top Channel