“Ditë e hapur me Policinë e Shtetit”

19/08/2016 10:30

Duke nisur nga sot, Policia e Shtetit do zhvillojë për 5 ditë në jug të vendit një aktivitet me qëllim hapjen e policisë me publikun. Në qytetin bregdetar të Vlorës do të çelet panairi “Ditë e Hapur me Policinë e Shtetit’’, një bashkëpunim i Ministrisë së Punëve të Brendshme me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit të policisë me publikun, në këtë panair qytetarët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me të gjithë potencialin e Policisë së Shtetit, detyrat dhe misionin e saj. Në stenda do të jenë të ekspozuara pajisje të Repartit të Forcave Speciale RENEA ( Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur), FNSH (Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë) si dhe Salla e Lëvizshme e Komandimit.

Në stendat e tjera do të jetë Policia Rrugore, ajo e Hetimit të Krimit dhe Policisë Shkencore, e Sigurisë Publike (Zyrat e Shërbimit Qytetar, Shqiponjat), stenda e Kufirit dhe Migracionit si dhe ajo e Akademisë së Sigurisë.

Në qytetin bregdetar të Vlorës panairi do të qëndrojë i hapur për dy ditë, në datat 19 dhe 20 Gusht, nga ora 17.00 deri në orën 24.00, pranë Sheshit Pavarësia.

Panairi “Ditë e Hapur me Policinë e Shtetit”, ditën e dielë, në datën 21 gusht, do të jetë në qytetin e Himarës për të vijuar ditën e martë në datën 23 Gusht në Sarandë te Shëtitorja.

Top Channel