Rikonstruksioni i njësisë 4, Veliaj inspekton punimet

18/08/2016 00:00

Një tjetër bllok banimi në kryeqytet, këtë herë në periferi, po merr një pamje të re, me infrastrukturë rrugore dhe standarde. Fjala është për bllokun e pallateve në njësinë administrative numër 4.

Ajo po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, duke përfshirë si infrastrukturën nëntokësore, ashtu dhe atë në sipërfaqe me rrugë, trotuare, ndriçim, etj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi se ky ristrukturim është një investim që tregon se bashkia nuk i kushton vëmendje vetëm qendrës, por edhe periferisë.

“Më vjen mirë që jemi sërish në njësinë 4, në të cilën kemi investuar shumë dhe sot jemi në një situatë më të mirë, ku kemi kaluar nga koha kur merreshim vetëm me rregullime në qendër, në një fazë ku po punojmë paralelisht në 50 lagje të Tiranës. Në këtë njësi preken 8 blloqe banimi dhe kjo është mënyra se si i përgjigjemi premtimeve që bëmë një vit më parë, kur kjo njësi ishte një baltovinë e ku ndoshta prej vitesh nuk ishte hedhur as një lopatë asfalt”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai siguroi se ashtu si në çdo investim tjetër që bashkia po realizon në Tiranë, edhe në këtë lagje do të ndryshojë ndjeshëm niveli dhe cilësia e jetës urbane për të 5 mijë banorët e zonës.

Top Channel