“Rio 2016”, aksidentohet çiklisti olimpik i Kosovës, vonohet autoambulanca

17/08/2016 00:00

Çiklisti kosovar Qëndrim Guri është përplasur nga një makinë teksa po udhëtonte me biçikletë në “Avenida das Americas”, autostrada më e madhe në zonën perëndimore të Rios.

Sipas raportimeve, Guri ka pritur për rreth 40 minuta derisa të mbërrinte autoambulanca për ta transportuar më pas për në spitalin Vitoria.

Deri më tani nuk janë dhënë më tepër detaje rreth këtij aksidenti, por “DailyMail” raporton se pas kontrollit në spital gjendja shëndetësore e çiklistit rezulton të jetë e qëndrueshme.

Guri e përfundoi më 6 gusht garën e tij në “Rio 2016” , por ka shfrytëzuar mundësinë për të qëndruar në Brazil edhe pas eliminimit.

Anëtarë të Komitetit Olimpik të Kosovës kanë konfirmuar për mediat kosovare aksidentin e Gurit. “Ai është goditur nga një veturë, është në spital duke marrë trajtim mjekësor dhe shpejt pritet të dalë”, thuhet në konfirmimin për KTV.

Aksidenti i Gurit është komentuar shumë edhe në mediat braziliane, shumë prej komentuesve kanë dënuar vonesën e autoambulancës, por kanë shtuar se fatkeqësisht ky është realiteti në Brazil dhe zhvillimi i Lojërave Olimpike nuk solli ndonjë përmirësim. 

FOTO GALERI
1/2

Top Channel