PD: “Vetting” për Strasburgun

13/08/2016 00:00

Shqipërisë i duhet që deri në 26 gusht të dorëzojë në Strasburg një listë me 3 kandidatë për të zëvendësuar përfaqësuesin e Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilit i mbaron mandati së shpejti.

Por, Partia Demokratike e akuzoi qeverinë se gjithçka është kryer në mungesë të plotë transparence, duke shkelur standardet europiane për këtë proces.

“Edhe këtë proces, Kryeministri që synon të kontrollojë çdo qelizë të drejtësisë, po kërkon ta kthejë në një tender të shëmtuar, me qëllim të sigurojë interesat e tij dhe jo të drejtat e njeriut që ai i shkel çdo ditë në Shqipëri. Përzgjedhja e kandidatëve në zyrat e mbyllura të Kryeministrisë në këto ditë gushti dhe larg vëmendjes së opinionit publik ështe këmbanë alarmi për aferën më të fundit korruptive të Kryeministrit”, deklaroi Oerd Bylykbashi.

Pikëpyetja tjetër e opozitës lidhet me mungesën e procesit të “vetting”-ut për kandidatët që do të shkojnë për votim në Strasburg: “Kandidatët për gjyqtarë në Strasburg duhet t’i nënshtrohen “vetting”-ut! “Vetting”-u garanton besimin e shqiptarëve tek drejtësia. “Vetting”-u nuk mund të jetë pistoletë për shantazh e Edi Ramës për gjyqtarët dhe gjykatat , ashtu si kërcënimi që i bëri pak ditë më parë gjyqtarit që rrëzoi kërkesën e tij absurde për të penguar zgjedhjet në Peshkopi”.

Aktualisht, ligji i “vetting”-ut mungon, por opozita thotë se kryeministri ka për qëllim që me një kandidat të kontrolluar prej tij të ndikohet politikisht Gjykata e Strasburgut për ligjin e pronave.

Top Channel