Messi ndërron mendje, rikthehet në kombëtare

13/08/2016 00:00

Ka zgjatur vetëm 40 ditë lamtumira e Messit ndaj kombëtares, ylli i Barcelonës bëri të ditur nëpërmjet një komunikate për shtyp që do të rikthehet të luajë me përfaqësuesen e Argjentinës.

“Unë e dua vendin tim dhe këtë fanellë”, – shprehet 29-vjecari që deklaroi se largohej nga kombëtarja 27 Qershorin e kaluar pasi humbi me La Selecion finalen e dytë radhazi në Kupën e Amerikës përballë Kilit.

Trajneri i ri i La Selecion, Edgardo Bauza ia ka dalë të bindë Messin që të rikthehet me kombëtaren gjatë qëndrimit të tij dy ditor në Barcelonë, ku ishte prezent dhe në sfidën mes katalanasve dhe Sampdorias për trofeun Gamper.

Në komunikatën e tij Messi përveç të tjerash shprehet: “Shikoj se ka shumë probleme në futbollin argjentinas dhe unë nuk kam ndërmend të krijoj një tjetër pasi nuk dua të dëmtoj Argjentinën, përkundrazi gjithmonë kam dashur të kontribuoj për të dhënë më të mirën për futbollin argjentinas dhe këtë dua ta bëj duke qenë pjesë e tij, jo duke kritikuar nga jashtë”.

Sulmuesi i Barcelonës e shpjegon në këtë mënyrë vendimin e tij: “Shumë gjëra më kanë kaluar ndërmend që nga finalja e fundit dhe kam menduar seriozisht që ta mbyll me Kombëtaren, por unë e dua shumë vendin tim dhe këtë fanellë”.

Në fund, 5 herë fituesi i “Topit të Artë” ka falënderuar të gjitha ata që e kanë mbështetur dhe që duan që ai të vazhdojë të luajë për Argjentinën duke shpresuar që shpejt t’iu dhurojë gëzimet e merituara me kombëtaren.

Top Channel