“Rio 2016”, Argjentina eliminohet nga futbolli. Reziston ende Brazili

11/08/2016 00:00

Me një fitore klasi në shifrat 4-0 ndaj Danimarkës, në stadiumin e Salvadorit, Brazili evitoi katastrofën e radhës në shtëpi, duke dominuar në sfidën e fundit të grupeve të futbollit olimpik. Virtualisht, në 10 minutat e para, “Selecao” e shihte veten të eliminuar, pas rezultateve në sfidat e tjera, por “Gabigol” i dha supremacinë vendasve për të mos e lëshuar më.

Gabriel Jesus shënoi golin e dytë të formacionit brazilian para pushimit, ndërsa Luan dhe sërish “Gabigol” i dhanë popullit futbolldashës atë që kërkonte prej javësh: spektakël, goleadë dhe gëzim, në një vend ku Olimpiada shihet ende me skepticizëm.

Surpriza më e madhe erdhi nga Argjentina, e cila është shpallur kampione olimpike në vitet 2004 dhe 2008, por u eliminua nga turneu i meshkujve në Lojërat e Rios, pas barazimit pa gola ndaj Hondurasit në grupin D. Pikërisht këtu, Portugalia kryeson me 7 pikë dhe vendin e dytë kualifikues e mori Hondurasi, pas ndalesës që u bëri favoritëve.

Gjermania ishte kryefjala e futbollit me 10 gola ndaj Ishujve Fixhi, në një sfidë me sens unik, ku 5 rrjeta u tundën nga nga Nils Petersen dhe 3 nga Maximilian Meyer.

Top Channel