Rehabilitimi i kanaleve kulluese, Panariti inspekton investimet

11/08/2016 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, ndoqi këtë të enjte nga afër punimet ndërtuese dhe rehabilituese të kanaleve ujitëse dhe kulluese të zonës së Vaut të Dejës.

“Në saj të ndërhyrjeve në kohë me investimet dhe në bashkëpunim me pushtetin vendor u garantua vaditja e plotë e 12.000 hektarëve tokë bujqësore”, deklaroi Panariti.

Sipas tij, njëkohësisht po punohet me intensitet për thellimin dhe mbathjen e shtratit të Drinit në nyjën e Gjadrit, në një segment prej 2.5 km, që ka gati 30 vite pa u pastruar.

Ministri Panariti u shpreh se këto punime do të bëjnë të mundur përballimin e situatave të pritshme të shirave në shtator dhe shtoi se, së shpejti një flotë e re ekskavatorësh do të jetë në dispozicion të bordeve dhe bashkive për ndërhyrjet në rrjetin e kanaleve.

Top Channel