Superkupa e Europës, Sevija kërkon hakmarrjen ndaj Realit

09/08/2016 00:00

Sezoni i ri i futbollit europian nis nga një përballje e tëra spanjolle. Në stadiumin “Lerkendal” të Tondheimit do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, duke nisur nga ora 20:45, ndeshja e vlefshme për Superkupën e Europës.

Dhe siç është bërë rutinë në këto 3 vitet e fundit, edhe kësaj here përballë njëra-tjetrës do të vihen dy skuadra iberike. Bëhet fjalë për Sevijën, që vjen si fituese e Europa League, si dhe Realin e Madridit, fitues i Champions League, pas asaj finaleje në “San Siro” kundër Atletico Madridit.

“Los merengues” janë në kërkim të trofeut të tretë të Superkupës, por këtë herë do të duhet të luajnë pa yllin Cristiano Ronaldo. Portugezi është ende i parikuperuar plotësisht nga dëmtimi i pësuar në finalen e “Euro 2016”. Megjithatë yjet në fushë nuk do të mungojnë.

Kurioziteti shtohet më shumë për të parë një Sevija të re të transformuar, teksa tashmë është nën drejtimine  Jorge Sampaoli, pas një epoke të gjatë dhe të suksesshme nën drejtimin e Unai Emery. Për andaluzianët do të jetë fitorja e dytë e Superkupës, në rast suksesi, pas triumfit ndaj Barcelonës në vitin 2006.

Dy vite më parë, në Montekarlo, Reali i Madrid-Sevija përfundoi me rezultatin e pastër 2-0 për “Los Blancos”, që në atë kohë drejtoheshin nga Carlo Ancelotti. Atëherë shënonte Cristiano Ronaldo, madje një dopietë, për t’i dhuruar trofeun madrilenëve.

24 muaj më vonë, Sevija është në kërkim të hakmarrjes, por gjithsesi trofeu do të mbetet spanjoll. Një rekord më vete ky, pasi Spanja regjistron 12 suksese dhe 22 pjesëmarrje në trofeun e Superkupës së Europës. Mbrëmjen e sotme, vendi iberik do të arrijë edhe suksesin e 13, pavarësisht fituesit.

Top Channel