Shqipëria po zvogëlohet, 2026 nis me një bilanc negativ të popullsisë, më shumë vdekje sesa lindje Dhjetëra familje të komunitetit rom vazhdojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme në barrakat që kanë ngritur mbi shtratin e lumit të Tiranës.
Kreu i bashkisë, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e lumit, u bëri thirrje familjeve rome të braktisin zonën e Bregut të Lumit, që sa herë përballet me shira të fortë vë në rrezik jetën e tyre.
“Kemi avancuar me projektin për lumin e Tiranës, jemi deri në 90% të rehabilitimit total të tij. Kjo do të thotë që shmangim përmbytjet masive si ato që pamë në Maqedoni, në Shkup. Megjithatë nuk jemi 100% aty. Në pjesën e mbetur kemi disa problematika me banorët që kanë uzurpuar shtratin e lumit dhe që në fakt jeta e tyre është e para që rrezikohet”, deklaroi Veliaj.
Veliaj i kërkoi komunitetit rom të pranojë ofertën e Bashkisë së Tiranës. “Bashkia ka miratuar bonuset e qirave, që kompensojnë zhvendosjen e tyre në një banesë që e zgjedhin ata vetë. Kemi përcaktuar edhe repartin ushtarak në Shkozë, që me emergjencë do të rehabilitohet para se të na vijnë shirat e vjeshtës dhe i gjithë komuniteti të transferohet aty në banesa shumë më të mira se sa barrakat që kanë aktualisht”, tha Veliaj.
Kreu i bashkisë kishte një apel edhe për shoqatat e komunitetit rom. “Cilado organizatë, shoqatë, apo avokat i cili faturon rrogën e tij të majme në kurriz të këtij komuniteti duke i manipuluar ata, duke i kërkuar të vazhdojë të bëjë qëndresë brenda në shtratin e lumit, do të përballet me drejtësinë”, paralajmëroi Veliaj.
Top Channel