Gara olimpike e çiklizmit të meshkujve ka rezervuar adrenalinë dhe një finale shpërthyese pranë plazhit të famshëm ikonë të Rio de Janeiros, në Copacabana.
Belgu Greg Van Avermaet mori medaljen e artë në një skenar “thriller”, duke përmbysur avantazhin e danezit Fugslang, por mbi të gjitha i favorizuar pas përplasjes së italianit Vincenzo Nibali.
Nibali ishte shumë pranë fitores pas një ofensive për t’u lavdëruar në fundin e garës prej 6 orësh, por ai humbi kontrollin e biçikletës në tatëpjetën finale. Mes kodrave të bukura buzë oqeanit atlantik, itinerari prej 237 kilometrash rezervoi të papritura dhe vetëm gjysma e 144 çiklistëve arriti të përfundonte garën.
Italiani Nibali humbi medaljen dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku u verifikua fraktura në klavikul. I vetmi ngushëllim i sportistit nga Apeninet ishte kthimi në vendlindje me avionin e kryeministrit italian, Matteo Renzi.
Top Channel