Demarkacioni ratifikohet më 11 gusht në Kuvendin e Kosovës

02/08/2016 00:00

Debati shkencor për vijën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi pritet t’i hapë rrugë thirrjes së seancës parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes së arritur me shtetin fqinj.

“Tribuna Channel” ka mësuar se seanca e Kuvendit, për ratifkimin e Demarkacionit me Malin e Zi, do të mbahet më 11 gusht. Sipas burimeve të televizionit, çështja e kufirit me Malin e Zi ka qenë edhe rekomandim i përfaqësuesve të jashtëm, që të përmbyllet para se deputetët të nisin pushimet verore.

Ndërkohë, nga Mali i Zi vijnë sinjale se kufiri me Kosovën tashmë është çështje e kryer. Anëtari i Këshillit të Politikës së Jashtme të Parlamentit malazez, Nikollë Gegaj i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se në vendin e tij “nuk po shqyrtohet mundësia e përkufizimit të sërishëm të vijës kufitare me Kosovën”.

Ai ka bërë të ditur se marrëveshja për Demarkacionin, e nënshkruar nga nivelet më të larta të të dyja shteteve dhe në praninë e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, ka mbetur që të ratifikohet nga pala kosovare.

Top Channel