Titulli në F1, Hamilton si “minë me sahat”

01/08/2016 00:00

Me një përmbysje fenomenale të ritheksuar në Çmimin e Madh të Gjermanisë, Lewis Hemilton zgjodhi mënyrën më të mirë për të shkuar me pushime.  Në startin e sezonit ishte prapa shokut të skuadrës 43 pikë, por tashmë ngulmimi i pilotit me ngjyrë dha frytet në pistë, edhe pse duhet ende shumë nga fundi i kampionatit.

Nga momenti në moment gjatë garës mund të thyejë makinën vetëm për të mos pranuar asnjëherë vendin e dytë, por ambiciet e tepruara mund t’i kushtojnë shumë britanikut, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.

Kampioni në fuqi i botës në Formula 1 preku finishin i pari në Hokenhajm e për këtë meritoi edhe votën më të lartë mes protagonistëve në pistë. 9.5 është vlerësuar paraqitja e pilotit të Mercedes që ishte autor i suksesit të 6 në 7 garat e fundit dhe kjo tregon se ai mbetet numri 1 në makinat e Formula 1.

Një votë mjaft të mirë ka marrë edhe Daniel Ricciardo. Dy podiume radhazi për australianin e Red Bull nuk janë pak, një reagim që ringre kotat e Daniel dhe rivendos “demat” në vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve. Kjo vlen pak në një sport ku kujtohet vetëm ai që fiton, por në fund austriakët do të krenohen me disa miliona euro më shumë, kjo falë Ricciardos.
 
Votë pozitive 7.5 edhe për Maks Verstappen në garën e Gjermanisë. Ai festoi podiumin e katërt sezonal me një garë solide pavarësisht degradimit të gomave në një moment kritik. E vetmja notë negative ishte reagimi i tij dhe ankesa në  bokse në manovrën e ligjshme të Rosberg, lëvizje që bëjnë pjesë në repertorin e Verstappen, e që komisarët i falin gjithmonë.

Top Channel