Evagjelia Veli vjen në Shqipëri, nis stërvitjen intensive

31/07/2016 00:00

Vetëm një ditë më parë skuadrës olimpike shqiptare i është shtuar edhe një sportiste. Ajo është peshëngritësja Evagjelia Veli, rritur në Greqi dhe formuar profesionalisht në këtë sport në shtetin helen.

Pezullimet e fundit nga Federata Botërore e Peshëngritjes për skandalet e dopingut i dhanë mundësinë Velit që të sigurojë këtë ftesë për Olimpiadën, duke e kthyer në Shqipëri me autobus për të qenë sa më shpejt këtu.

“Kisha mbaruar stërvitjen dhe po flija. Kur pashë telefonin, ishin grumbulluar shumë telefonata dhe mesazhe. U tremba sepse mesazhi i parë që lexova thonte që duhet të nisesha shpejt për në Shqipëri. Mora në telefon babain, i cili më tha se për çfarë bëhej fjalë. Qava. Nuk e prisja dhe nuk e besoja. 5 minuta m’u deshën që të bindesha që nuk po talleshin me mua. Më pas, lajmërova trajnerin tim, i cili u gëzua shumë”, tregon peshëngritësja.

Pas autobusit, menjëherë në palestër. Veli ka pak ditë që i është rikthyer stërvitjes, pasi ka qenë e dëmtuar e për këtë arsye nuk do të humbasë asnjë moment, pavarësisht 12 orëve udhëtim.

Ajo ka zhvilluar sport nga mosha 5-vjeçare dhe deri pak vite më parë për disa skuadra greke. Mungesa e marrjes së pasaportës greke i hoqi dhe të drejtën për të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare për Greqinë.

Vitet e fundit ajo është federuar nga klubi Tirana, ndërkohë që në Greqi ka lënë sportin aktiv, duke kaluar si trajnere. Ftesa e ka gjetur atë deri diku të papërgatitur edhe fizikisht, ndërkohë që gara e parë në Olimpiadë për të është shumë shpejt.

“Garën e kam të dielën në orën 12:00. I kam parë kundërshtaret për kuriozitet, pasi edhe pse nuk isha pjesëmarrëse, doja të dija se çfarë bëhej te kategoria ime. Besoj se mund të hyj në tetëshe”, shprehet Veli.

Top Channel