Mastersi i Torontos, përcaktohen 8 çerekfinalistët

29/07/2016 00:00

Turneu Masters i Torontos ka mësuar emrat e 8 tenistëve çerekfinalistë. Numri 1 i renditjes botërore, Novak Djokovic u kualifikua në këtë fazë të aktivitetit pasi eliminoi Radek Stepanek me rezultatin 2-0. Djokovic nuk e vuri në asnjë moment në dyshim këtë sukses ndaj 37-vjeçarit çek, duke i fituar setet 6-2 dhe 6-4.

U kualifikua për në çerekfinale të turneut kanadez edhe Stanislav Wawrinka, i cili mundi amerikanin Jack Stock me rezultatin 2-0. Zvicerani fitoi setin e parë me vështirësi 7-6, ndërsa të dytin e dominoi duke e mbyllur me rezultatin 6-2. Kundërshtari i radhës për Wawrinkën do të jetë Kevin Anderson, i cili mundi Bernard Tomiç me rezultatin 2-1. 

Një vend mes 8 më të mirëve të Torontos e zuri edhe Kei Nishikori, i cili eliminoi Rajeev Ram. Japonezit iu deshën vetëm 68 minuta lojë për të mposhtur amerikanin 2-0 (6-3 dhe 6-4).

U kualifikuan në çerekfinale edhe Gaël Monfils, Milos Raonic e Tomas Berdych, të cilët fituan kundër David Goffin, Jared Donaldson dhe Ryan Harrison.

Top Channel