Ligj i ri për prefektët pas Reformës Administrativo-Territoriale

28/07/2016 00:00

Qeveria ka hartuar një projektligj të ri për prefektët, i cili pritet t’i kalojë për shqyrtim Parlamentit. Projektligji “Për Prefektin e Qarkut” vjen si domosdoshmëri për të shmangur vakuumin ligjor të krijuar nga ligji i vjetër i vitit 2002, por edhe si rrjedhojë e Reformës Administrativo-Territoriale dhe ligjit të ri për vetëqeverisjen vendore.

Projektligji synon të rrisë rolin e prefektit, si përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave në qark.

“Për kryerjen e funksioneve dhe marrëdhëniet me institucionet vendore dhe qendrore në qark, prefekti ushtron përgjegjësitë e kontrollit dhe monitorimit të masave për zbatimin e programit të qeverisë. Në kuadër të rritjes së cilësisë së shërbimeve që shteti u ofron qytetarëve, ne do t’i japim mundësinë që prefekti në praktikën e përditshme të kërkojë zbatimin e ligjit dhe të programit qeverisës dhe rritjen e shërbimit cilësor karshi qytetarëve”, thotë Bekim Murati, drejtor i Koordinimit me Prefekturat.

Me ligjin e ri, prefekti ka edhe detyra të tjera specifike.

“Drejton task-forcën, do të duhet të ngrejë të tjera të tilla që do të duhet t’i shërbejnë për nevoja emergjente, që lindin gjatë procesit të zbatimit të reformave të mëdha, apo edhe problematikave e shqetësimeve që lindin në qarkun respektiv”, tha më tej Bekim Murati.

Me ligjin e ri, prefektët kalojnë në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Top Channel