Partizani është mposhtur me rezultat minimal 1-0 përballë Salzburgut të Austrisë, në ndeshjen e parë të vlefshme për turin e tretë kualifikues të kompeticionit madhor, Champions League, të luajtur në “Elbasan Arena”.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta të “të kuqve” për të arritur një rezultat pozitiv, ndeshja është vendosur nga një 11-metërsh i shndërruar në gol nga Soriano, në minutën e 70 të takimit, ndërsa skuadrat kishin pak më shumë se 15 minuta që luanin jo të barabartë numerikisht. Ishte pikërisht Samassekou i Salzburgut, ai që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, për të lënë përpara kohe fushën e lojës.
Megjithatë, inferioriteti numerik i kampionëve austriakë u sfumua shumë shpejt pas shënimit të golit të avantazhit, pasi Kalari bën një ndërhyrje të ashpër me taka ndaj një lojtari kundërshtar dhe largohet menjëherë me karton të kuq në minutën e 73-të.
Sa i përket takimit, mund të thuhet se Partizani dominoi pjesën e dytë të lojës, pasi kishte mbyllur 45-minutat e para në barazim pa gola, pati disa raste të mira për shënim, por nuk mundi t’i shfrytëzonte ato. Pak përpara akordimit të 11-metërshit për austriakët, “të kuqtë” patën një rast të dyshimtë në zonën e rreptësisë së kundërshtarëve, ndërkohë që gjyqtari i takimit nuk dha penallti për ekipin shqiptar.
Takimi i kthimit për këtë tur të tretë kualifikues do të zhvillohet javën e ardhshme më 3 gusht në Austri, ndërkohë që edhe në rast eliminimi nga ky kompeticion, Partizani do të kalojë të luajë sërish andej nga erdhi, në Europa League, por këtë herë në turin e “play-off”-eve.
Top Channel