“Tërmet” tek Interi, Mancini mendon dorëheqjen

25/07/2016 00:00

Përkeqësohet situata në raportet mes trajnerit Mancini dhe drejtuesve të Interit. Gjërat kanë arritur deri aty, sa Mancini të mendojë të japë dorëheqjen nga pozicioni i tij. Takimi i zhvilluar në SHBA mes tij dhe Eric Thohir nuk solli asnjë rezultat pozitiv, me Mancinin që mbeti i pakënaqur.

Mësohet se në ditët në vazhdim, përfaqësues të kompanisë “Suning” që ka marrë zotërimin e Interit, do të kenë një ballafaqim me teknikun italian, por duket se kjo lëvizje nuk do të sjellë ndryshime në qëndrimin e Mancinit, i cili mund t’i thotë lamtumirën Interit pa pritur këtë takim.

Pas përfundimit të sfidës për “International Champions Cup” me Paris SG, Mancini deklaroi se asgjë nuk kishte ndryshuar në skuadër dhe se do të presë se çfarë do të ndodhë, ndërsa përsa i përket fatit të Icardit dhe mundësisë së blerjes së Candrevës, Mancini tha se duhet pyetur presidenti Thohir.

Ndërkaq, në bordin drejtues të Interit nuk duan që të mbeten të kapur në befasi dhe po mendohet për gjetjen e pasuesit të Mancinit. Ëndrra e zikaltërve është Diego Simeone, që nuk ka gjasa të bëhet realitet, ndërkohë që janë edhe kandidaturat e Leonardos e Capellos, edhe pse nuk kanë shumë pikë.

Së fundmi, në listën e dëshirave është shfaqur edhe emri i Frank De Boer. Drejtuesit e “Suning” duan një projekt të ri për të mos hedhur poshtë një kampionat dhe investimet e tyre, e në këtë pikë holandezi duket kandidatura më e mirë.

Top Channel