Plazhi i Shëngjinit, në fundjavë dyfishohen pushuesit ditorë nga Kosova

24/07/2016 00:00

Shëngjini duket se është një prej destinacioneve kryesore të pushuesve ditorë nga Kosova. Mëngjesin e së shtunës në pikën e kalimit kufitar në Morinë pati një dyndje të kosovarëve që vinin për pushime dhe kjo është reflektuar direkt në dy plazhet më të mëdha në veri, Velipoja dhe Shëngjini të cilat janë tejmbushur.

“Ky është viti i gjashtë që vij. Jetoj në Zvicër dhe vij këtu sepse ia kaloj shumë mirë”, thotë një pushues.

“Është afër Prishtinës dhe nuk udhëtojmë shumë. Kushtet janë të mira”, thotë një tjetër pushuese.

“Më pëlqen plazhi i Shëngjinit, çmimet nuk është se kanë ndryshuar, janë po të njëjtat si vitin e kaluar”, shprehet një tjetër.

“Kam disa vite që bëj pushimet këtu dhe nuk ë ndërroj Shëngjinin me asnjë vend tjetër”, thotë një pushues tjetër nga Kosova.

Aktualisht numërohen rreth 25-30 mijë pushues, ndërsa fundjava kulmon me mbi 40 mijë pushues në Shëngjin dhe zonat përreth.

Top Channel