Manchester City dhe gara për statistikat. Përzgjidhen 100 “hacker”-a

24/07/2016 00:00

Fatih Terim thotë se statistikat në futboll janë si minifundet që nuk zbulojnë thuajse asgjë, por për shumë personazhe të futbollit modern janë pikërisht numrat, ato që ofrojnë një panoramë të qartë të kundërshtarëve, të ecurisë së ekipit, apo të parabolës që pritet të vijë.

Në kontrast me mendimet e trajnerit turk, skuadra e Manchester City ka organizuar konkursin më të madh për një analist ndeshjeje futbolli, duke hapur ankandin për të gjithë ata që kanë njohuri mbi analizën dhe verifikimin e të dhënave.

Konkursit të “Citizens” iu përgjigjën me mijëra persona, nga të cilët janë përzgjedhur 100. Mes tyre ka piratë kibernetikë, analistë të dhënash bankare, e shumë të tjerë. Eksperimenti unik për një skuadër futbolli do të nisë fundjavën e ardhshme, kur Mancester City do të ndajë me garuesit të dhënat e 10 ndeshjeve të sezonit të kaluar.

Këtu përfshihen goditjet në portë, krosimet, ndëshkimet, golat dhe kilometrat e secilit lojtar, ndërsa në total janë 52 milionë numra që do të përzgjedhin më të mirët, për të qenë në stafin e trajnerit Guardiola. Gjithçka do të përfshihet në një parakontratë për të ruajtur sekretet nga aplikantët.

Për një të apasionuar futbolli me notën 5 në matematikë, kjo është si të shikosh sekuencat numerike të filmit “Matrix”, por për të apasionuarit e inteligjencës artificiale, kjo është parajsa tokësore e mirëpaguar në një klub të madh futbolli.

Top Channel