Dumre, mungon uji i pijshëm, rrjeti nuk plotëson nevojat

23/07/2016 00:00

Zona e Dumresë është duke përjetuar një stinë të nxehtë, jo vetëm për shkak të temperaturave të larta, por edhe për shkak të mungesës së ujit të pijshëm.

Ujësjellësi i ndërtuar në vitin 1987 dhe i parashikuar vetëm për çezma publike nuk arrin t’i përballojë nevojat e fshatrave, ndërkohë që amortizimi i rrjetit dhe lidhjet e paligjshme kanë bërë që furnizimi me ujë i kësaj zonë të jetë në periudhën më të keqe të mundshme.

Për t’u ardhur në ndihmë banorëve, Bashkia e Belshit ka nisur furnizimin me bote uji në çdo fshat, një zgjidhje provizore në këtë situatë kritike.

“Është një problem që nuk ka dalë sot, është një problem që ka nisur këtu e 25 vjet më përpara, pasi ujësjellësi i Dumresë është ndërtuar në vitin 1987 dhe ishte i projektuar për çezma publike. Ky është viti më i keq në këtë drejtim. Ne kemi gati 20 ditë që kemi ndërmarrë aksionin e prerjeve të paligjshme në tubacionin kryesor dhe pasi të pastrohet tubi kryesor çdo kundravajtje do të përballet me forcën e ligjit. Problemi i furnizimit është problem kompleks që nuk përfundon me shkëputjen e lidhjeve të paligjshme dhe uljen e shpërdorimeve. Amortizimi ka bërë të veten”, thotë kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani.

Bashkia e Belshit ka gati projektin për ujësjellësin e ri i cili për shkak të kostos së lartë, rreth 25 milionë lekë, pritet të aplikohet në disa faza. Ndërkohë prerja e lidhjeve të paligjshme dhe rehabilitimi I rrjetit aty ku është e mundur pritet të përmirësojë sadopak situatën.

“Bashkia Belsh e ka gati projektin. Është një projekt që kushton gati 25 miliardë lekë. Kemi bërë një aplikim me faza, pasi shuma është e madhe dhe mendojmë që me investimin e 5 mln eurove rrisim ndjeshëm furnizimin dhe përmirësojmë ndjeshëm situatën”, deklaron Tafani.

Top Channel