Juventus hedh sytë nga Witsel

22/07/2016 00:00

Te Juventus nuk duan të jenë të papërgatitur në rast se Paul Pogba do të largohet në drejtim të Manchester United. Te “zonja e vjetër” ka filluar prej kohësh të mendohet për gjetjen e zëvendësuesit të mesfushorit francez dhe sipas asaj që publikohet në median italiane, Axel Witsel është emri që po përmendet më shpesh.

Fillimisht, kandidatët e Juventus për këtë post ishin Andre Gomes, William Carbalho, Matic, Brozovic e Moussa Sissoko, por këto plane i përmbysën dhe objektivi kryesor i kampionëve të Italisë u bë pikërisht Witsel.

Mesfushori i Zenit që ndiqet edhe nga Napoli, u ka bërë të ditur drejtuesve të klubit dëshirën për t’u larguar në drejtim të një skuadre që luan në Ligën e Kampionëve dhe nga kjo do të kërkojë të përfitojë skuadra torineze.

Kjo e fundit këtë sezon do të ketë synimin për të triumfuar në Europë dhe Wistel nëse do të vijë në Torino do të jetë një armë më shumë në dispozicion të trajnerit Allegri për të arritur këtë objektiv.

Top Channel