
Fitorja e Çmimit të Madh të Hungarisë në Botërorin e Formula 1 është si një lloj mallkimi për pilotin që pretendon titullin kampion.
Kjo për faktin se ata që kanë triumfuar në pistën e “Hungaroring”-ut, në fund kanë dalë të humbur në garën për suksesin në kampionat.
Herën e fundit që është parë një sukses i tille ka qenë në vitin 2004 me Michael Schumacher. Pista e “Hungaroring”-ut është në kalendarin e Botërorit të Formula 1 prej 30 vitesh, madje pa u ndërprerë asnjëherë duke iu bashkuar kështu garave të Monza-s dhe Monakos. Është një pistë që nuk garanton emocione të forta, madje ajo konsiderohet e mërzitshme nga të gjithë pilotët ku shihen shumë pak parakalime.
Në sezonet e fundit në Çmimin e Madh të Hungarisë është parë një dominim i Hamilton me britanikun që ka fituar 4 herë, në 2007,2009,2012 dhe 2013 dhe në asnjë nga këto raste 30-vjeçari nuk ka mundur të shpallet kampion.
Ndërsa Nico Rosberg nuk ka mundur asnjëherë të fitojë në “Hungaroring”.
Ata që e kanë provuar shijen e fitores në Budapest janë edhe Alonso në 2003, Raikkonen në 2005, Button në 2006 e 2011, Ricciardo në 2014 dhe Vettel në 2015.
Për sa u përket skuadrave, McLaren është ajo që ka më shumë triumfe në Hungari me 11 gara të fituara e ndjekur nga Williams me 7 dhe Ferrari me 6.
Asnjë pilot nuk ka mundur të fitojë 3 herë radhazi në Hungari, ndërkohë që Raikkonen është ai që ka më shumë podiume në këtë Çmim të Madh, 7 të tillë. Nëse Hamilton arrin të fitojë këtë fundjave, do të bëhet piloti me më shumë fitore në “Hungaroring” në historinë e F1.
Top Channel