Presidenca e UEFA-s, Villar hyn në garë

20/07/2016 00:00

Anhel Maria Villar do të garojë për postin e presidentit të UEFA. Federata Spanjolle e Futbollit nëpërmjet një komunikate për shtyp ka konfirmuar se kreu aktual i saj ka vendosur kandidaturën e tij për të qenë pasuesi i Platini.

Villar, që nga muaji tetor i vitit 2015 mori përsipër të kryejë detyrat e presidentit të UEFA në vend të Platini i cili është i pezulluar nga të gjitha aktivitetet. Së bashku me Villar, në garë për kreun e institucionit më të lartë të futbollit europian janë edhe presidenti i Federatës Sllovake, Aleksandër Ceferin si dhe holandezi Mikael Van Prag.

Villar, që dikur ka qenë futbollist i Atletiko Bilbaos dhe përfaqësueses spanjolle, është edhe një ndër themeluesit e Shoqatës Spanjolle të Futbollistëve. Ai u zgjodh për herë të parë si president i Federatës Spanjolle në vitin 1988 dhe që nga ajo kohë ai ka fituar 7 mandate radhazi, ku i fundit ishte në 2012.

Në të njëtjën kohë, Villar është edhe zëvendëspresident i FIFA. Vitin e kaluar ai u gjobit me 25 mijë franga zvicerane nga Komiteti i Etikës së FIFA-s për mungesë bashkëpunimi në hetimet për përcaktimin e vendeve organizatorëve të Botërorëve 2018 dhe 2022.

Villar drejtoi Federatën Spanjolle në periudhën më të suksesshme të saj kur përfaqësuesja e vendit iberik arriti të fitojë Europianët 2008 dhe 2012 dhe Botërorin 2010. Por pavarësisht kësaj, kritikat ndaj tij në Spanjë nuk mungojnë.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas është një prej atyre që e kanë bërë diçka të tillë dhe kjo ndodhi menjëherë pasi Villar mbështeti grevën e futbollistëve kundër një rregulloreje të re përsa u përket kontratave kolektive dhe shitjes së të drejtave televizive.

Top Channel