Konsensus për reformën? Ekspertët e 3 partive në hapin e fundit

20/07/2016 00:00

Kur na ndajnë më pak se 24 orë nga hapja e seancës së Kuvendit për votimin e reformës në drejtësi, negociatorët nuk janë takuar më me njëri-tjetrin, por komunikimi mes tyre nuk është ndërprerë.

Burime të Top Channel konfirmojnë se këto janë përpjekjet e fundit përpara arritjes së kompromisit dhe tani po bëhen disa rregullime termash për përfshirjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetutë dhe për të vendosur se çfarë kompetencash do të kenë vëzhguesit ndërkombëtarë kur të bëhet seleksionimi i kandidatëve për vetingun dhe të anëtarëve jogjyqtarë dhe joprokurorë në Këshillat e Lartë përkatës.

Paraditen e sotme, kreu i opozitës është takuar me disa nga aleatët dhe ndërkohë po zhvillon një mbledhje me ekspertët dhe anëtarët e opozitës në Komisionin e Reformës në Drejtësi.

Burime brenda Partisë Demokratike konfirmojnë për Top Channel se është shumë afër marrjes së vendimit zyrtar për të miratuar të enjten në Parlament ndryshimet kushtetuese.

Top Channel