“Drejtësia”, Rama takohet me aleatët e PDIU. Idrizi: Referendum nëse s’ka kompromis për nenin 88

19/07/2016 00:00

Pas takimit me Metën e Bashën një ditë më parë, por dhe një takimi me deputët dhe ministrat socialistë, kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me aleatët e PDIU-së mëngjesin e ditës së martë.

Reforma në drejtësi sigurisht që ka qenë tema kryesore e bisedës, ndërkohë që pritet votimi në Parlament gjatë së enjtës më 21 korrik.

Idrizi vlerësoi si pozitiv faktin që liderët shqiptarë po zhvillojnë takime lidhur me reformën, ndërsa shtoi se në rast të mos gjetjes së kompromisit për nenin 88, t’i drejtohemi popullit për referendum.

Pas takimit me Bashën dhe Metën një ditë më parë, Rama tha se procesi mund të shënojë një “ndarje të re dramatike” për vendin.

Rama deklaroi se, reforma në drejtësi është një revolucion i mirëfilltë dhe sipas tij, “nuk ndodh gjithnjë që një revolucion i vonuar të jetë objekt i një diskutimi kaq të madh përballë një muri shurdh, që synon me çdo kusht ta pengojë këtë revolucion paqësor dhe transformues për gjeneratat”.

“Kjo është reforma më e rëndësishme dhe vetëm pak ditë na ndajnë nga një moment, deri tek i cili unë do të shpresoj deri në minutën e fundit se do të arrihet bashkimi i të gjithëve për t’i çelur rrugën këtij transformimi, por që mund të jetë edhe momenti dramatik për një ndarje të re”, ka deklaruar Rama.

Top Channel