Reali e nis sezonin e ri pa Ronaldon. Duhet kohë për rikuperimin

18/07/2016 00:00

Reali i Madridid do të nisë sezonin e ri pa Cristiano Ronaldon. Klubi “merengues” po mendon t’i japë portugezit të gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion, për të fituar formën e tij më optimale.

Ronaldo, i cili u dëmtua në gju në finalen e “Euro 2016” ndaj Francës, do të qëndrojë edhe një muaj tjetër pushim, të cilin do ta shfrytëzojë jo vetëm për t’u qetësuar, por edhe për t’u riaftësuar nga ky dëmtim.

Ronaldo ndodhet në Ibiza së bashku me familjen e tij, por ai ka gjetur kohë për të shkuar edhe në klinikë për t’iu nënshtruar një trajtimi në dhomë hiperbarike, për të përshpejtuar procesin e riaftësimit, me synimin që ai të jetë i pranishëm në finalen e Superkupës Europiane me Sevijën më 9 gusht, sfidë që për fatin e tij të keq nuk do ta luajë.

Ronaldo pritet të kthehet në “Valdebebas” më 10 gusht për të nisur procesin e riaftësimit, që do të zgjasë 30 ditë. Kjo do të thotë se Ronaldo do të humbasë edhe dy ndeshjet e para të kampionatit, atë me Real Sociedad dhe atë me Celta Vigon, për të qenë i pranishëm në sfidën e javës së tretë ndaj Osasunës.

Në të njëjtën kohë, 31-vjeçari do të humbasë edhe dy ndeshjet e para me përfaqësuesen portugeze, atë të 6 shtatorit me Zvicrën për kualifikueset e Botërorit 2018, si dhe një sfidë miqësore.

Top Channel