Comaneci, 40 vjet nga nota 10

17/07/2016 00:00

Në momentin e saj, ishte gjimnastja më e mirë në histori. Nadia Comaneci, një vajzë 14-vjeçare befasoi të gjithë botën në Lojërat Olimpike të Montrealit në vitin 1976 me një ushtrim të përkryer dhe të shpërblyer me notën 10 ku ishte hera e parë në histori që jepej ky vlerësim maksimal për një sportist.

Ajo notë 10 e marrë në Montreal e ktheu Comanecin në simbolin e Lojërave Olimpike. Këtë të hënë mbushen plot 40 vjet nga ekzekutimi i atij ushtrimi që i dha mundësinë gjimnastes rumune të ngjitet për herë të parë në podium duke marrë edhe medaljen e artë.
 
Nadia Comaneci debutoi në moshën 10-vjeçare me përfaqësuesen rumune të gjimnastikës. Në moshën 13-vjeçare kishte fituar 3 medalje të arta dhe një të argjendtë në Europianin e Norvegjisë. Një vit më vonë ajo shkroi historinë duke marrë notën 10 në ushtrimin në paralelet asimetrike.

Në tabelën elektronike u shfaq shifra 1.00 duke shkaktuar një konfuzion tek të gjithë. Problemi ishte se në atë kohë nota maksimale ishte 9.95, por gjykatësit sqaruan se tabela nuk ishte e përshtatshme për të shfaqur notën 10 dhe se shifra 1.00 kishte domethënien e kësaj note historike në botën e sportit.

Rumunia Comaneci fitoi medalje të tjera edhe në Lojërat Olimpike të Moskës, Botërorë dhe Europianë, por nuk pati përsosmërinë e shfaqur në Kanada, kjo edhe për arsye se në vijim karriera e saj u kushtëzua edhe nga dëmtimet si dhe ndryshimet e paevitueshme në fizikun e saj për shkak të moshës se adoleshencës.

Pas Lojërave të vitit 1980, Comaneci vendosi të tërhiqet, por emri i saj mbeti i gdhendur në mendjen e të gjithëve pasi ishte e para sportiste që mori notën maksimale, 10.

Top Channel