PE ofrohet për kompromis, apeli i Kukan e Fleckenstein: Jeni një hap larg

16/07/2016 00:00

Dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, përfaqësues të dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian, janë ofruar të ndihmojnë politikën në Shqipëri për të arritur një marrëveshje për reformën në drejtësi.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, dy eurodeputetë, që ndërmjetësuan marrëveshjen për dekriminalizimin një vit e gjysmë më parë, shprehën keqardhjen që propozimi i fundit për kompromis nga komuniteti ndërkombëtar nuk u pranua.

Por, megjithatë, ata janë ende të bindur se zgjidhja është vetëm një hap larg.

“Ne mbështesim rolin e parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit për të mbikëqyrur të gjithë procesin e vetingut. Në opinionin tonë, kjo nuk e redukton pronësinë e autoriteteve shqiptare, që është thelbësore. Përfshirja ndërkombëtarë do të forconte besueshmërinë e reformës në sytë e opinionit publik dhe të komunitetit ndërkombëtar dhe është në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venezias”.

Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein inkurajuan udhëheqësit në Shqipëri të vazhdojnë bisedimet me vullnet të mirë, duke mbajtur parasysh qëllimin kryesor të reformës, ngritjen e një sistemi drejtësie të pavarur dhe eficent. 

Top Channel