Nishani: Mbështetje të plotë për rendin kushtetues në Turqi

16/07/2016 00:00

Presidenti Bujar Nishani reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Turqi, duke i dënuar me forcë akte dhe tentativa për marrjen e pushtetit përmes dhunës.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të madh zhvillimet e orëve të fundit në Turqi, ku rendi kushtetues u prek rëndë nga akte për rrëzimin me dhunë të një Qeverie të zgjedhur demokratikisht. Presidenti Nishani i dënon me forcë këto akte dhe tentativa për marrjen e pushtetit përmes dhunës dhe shpreh mbështetjen e plotë për Presidentin Erdogan, Qeverinë dhe rendin kushtetues në Turqi”, thuhet në njoftimin ë lëshuar nga Presidenca.
 
Presidenti Nishani uron kthim sa më të shpejtë të rendit publik dhe qetësisë në rrugët dhe qytetet e Turqisë dhe populli mik turk t’i kthehet jetës normale.

Ndërkohë, edhe ish-presidenti Bamir Topi, aktualisht kreu i FRD, ka dënuar grushtin e shtetit, ndërsa shprehet se demokracia është rruga e vetme për stabilitetin e Turqisë.

“Shqiptarët janë pranë shqetësimeve të popullit mik turk në këto orë të vështira. Urojmë që paqja dhe legjitimiteti të rikthehen në Turqinë mike. Stabiliteti politik dhe rendi në Turqi janë shumë të rëndësishme. Rruga e vetme për stabilitetin e Turqisë dhe rajonit është ajo e demokracisë”, shprehet Topi.

Top Channel